“Pas një vrulli të fortë rritjeje në vitet e mëparshme, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026, e nxitur nga kërkesa e brendshme”. Është ky parashikimi ekonomik i Komisionit Europian për Shqipërinë, i bazuar në mbështetjen nga turizmi dhe eksportet.
“Eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, ndërsa eksportet e mallrave pritet të rimëkëmben disi pas dy vitesh tkurrjeje të ndjeshme”, thuhet në raport, përcjell A2 CNN.
Sipas raportit pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% vitin e ardhshëm.
Ndërsa deficiti fiskal pritet të zgjerohet para se të bjerë nën 2% të PBB-së në vitin 2026.
“Deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të rritet pak nga niveli i tij i ulët historik i regjistruar në vitin 2023, por mbetet shumë nën mesataren e tij afatgjatë, duke treguar përmirësime strukturore të shkaktuara nga rritja e turizmit. Kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve negative, të lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit dhe mungesat në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar të përkeqësuara nga emigrimi”, thuhet në raport, shkruan A2 CNN.
Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave mbi partnerët e saj kryesorë tregtarë në BE, siç është Italia. Për më tepër, pasiguria globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë në flukset e investimeve të huaja direkte.
Kurse raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet vetëm gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së. (A2 Televizion)