Prezantohet studimi i fizibilitetit të hekurudhës kuqezi Durrës-Prishtinë, Balluku: Nyjë lidhëse e 3 korridoreve evropiane

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 20:22 | Ekonomi

Prezantohet studimi i fizibilitetit të hekurudhës kuqezi

U prezantua këtë të hënë në Shkodër studimi i fizibilitetit të hekurudhës “Kuq e Zi”, e cila do të lidhë Prishtinën me Durrësin dhe parashikohet që të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.

Në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cilësoi këtë një moment historik për Shqipërinë. Sipas saj hekurudha nuk përfaqëson thjesht një aks transporti, por një lidhje kombëtare me rëndësi ekonomike dhe gjeopolitike dhe simbolike.

“Nuk flitet për një hekurudhë, por për një lidhje kombëtare pasi është hekurudha kuqezi, flitet për një nukël gjeopolitike e cila e kthen kombin shqiptar në një pol magnetizmi për ekonominë dhe ndërlidhjen europiane. Shpeshherë flasim për ndërlidhje rajonale, për ekonomi rajonale, por korridoret e infrastrukturës dhe ato energjetike nuk janë rajonale, janë europiane”.

Sipas Ballukut, kjo hekurudhë do të jetë një nyje ndërlidhëse e tre korridoreve evropiane dhe do t’i japë një rëndësi të veçantë gjithë zhvillimit politik dhe gjeopolitik Evropës Juglindore.

“Kjo hekurudhë do të lidhet përmes Korridorit të 8 përmes të gjitha akseve të tjera që janë bërë publike. Gjithashtu, do të lidhet dhe me Korridorin e 10, por nga ana tjetër prek edhe korridorin Adriatiko-Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij duke e kthyer kështu si një nyje ndërlidhëse të tre korridoreve evropiane dhe duke i dhënë kësaj hekurudhe në dukje kombëtare, një rëndësi të veçantë për të gjithë zhvillimin politik dhe gjeopolitik të Evropës Juglindore”, tha Balluku.

Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete të larta shtetërore të dy vendeve si dhe kryetarët e bashkive ku pritet të kalojë hekurudha, si Shkodra e Gjakova.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos