Mikrofonë, kamera, mikser, kufje… “Vala” e podcasteve ka përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Institucioni më i lartë shkencor në vend ka shpenzuar mbi 16 mijë euro për pajisje për podcast.
Ajo që bie në sy nga të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik është fakti se Akademia e Shkencave ka kryer dy procedura ttë ndryshme tenderuese për të blerë të njëjtat pajisje. Tenderi i parë është mbyllur në vlerën e 818 mijë lekëve, ndërsa ai i dytë për 779 mijë lekë. Kjo për të njëjtat pajisje të blear, shkruan A2.
Në një kohë kur podcasti është kthyer në një mjet gjithnjë e më popullor komunikimi, edhe institucionet publike duket se po kërkojnë të përshtaten me këtë format. Por, pyetja mbetet: a është ky një hap drejt afrimit me publikun, apo thjesht një tjetër shembull i ndjekjes së trendeve?
Një gjë është e qartë, mania e podcasteve së cilës i dha një tjetër hov kryeministri Edi Rama ka hyrë tashmë edhe në korridoret e akademisë. Dhe këtë herë, insttucioni më i lartë i shkencës në vend del nga kornizat e saj konservatore dhe futet në botën e podcasteve.
Aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 150 podcast-e aktive, një treg që po zgjerohet me shpejtësi dhe tregon se formati audio-digjital po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në komunikimin publik, mediatik dhe institucional. (A2 Televizion)