Pas nisjes në tatëpjetë, eksportet vijuan të “ngrinin kokë” edhe shkuar. Gjatë marsit, kompanitë vendase çuan në tregjet e huaja 32.7 miliardë lekë mallra. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, eksportet janë zgjeruar me 4.1 për qind. Marrë që nga fillimi i vitit, eksportet janë zgjeruar me 2.2 për qind në raport me janar-marsin 2025.
“Rritja është e kufizuar dhe më shumë e lidhur me faktorë të përkohshëm. Nuk kemi ende një zgjerim të qëndrueshëm të bazës eksportuese, por një ndikim të fortë nga sektorë specifikë.”, tha Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.
Nxjerrja e më shumë mineraleve e karburanteve nga nëntoka, bashkë me shtimin e eksporteve të energjisë si pasojë e reshjeve, patën ndikimin kryesor në gjallërimin e tregtisë së jashtme. Rënia e eksporteve gjatë marsit përfshiu thuajse të gjitha kategoritë e tjera të produkteve dhe shërbimeve. Eksportet e “fasonëve” u tkurrën me 1.9 për qind, ndërsa ato të ushqimeve e pijeve me 0.8 për qind.
“Kjo tregon se sektorët tradicionalë vijojnë të jenë nën presion, kryesisht për shkak të dobësimit të kërkesës në tregjet europiane dhe rritjes së kostove për bizneset vendase.”, tha Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.
Lehtë u gjallëruan edhe importet gjatë muajit të shkuar, vlera e të cilave arriti në mbi 80 miliardë lekë nga 74 miliardë në shkurtin e një viti më parë.
“Rritja e importeve lidhet me konsumin e brendshëm dhe nevojën për furnizim të ekonomisë. Megjithatë, kjo thellon diferencën tregtare dhe tregon varësinë e lartë nga tregjet e huaja.”, tha Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.
Muajin e shkuar, Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Kosovës dhe Greqisë. E kundërta ndodhi me Italinë dhe Spanjën. (A2 Televizion)