Nga fushat te stadiumet, pallatet e sporteve, infrastrukturat sportive në pronësi të qeverisë apo bashkive do i jepen privatit me qëllim zhvillimet e tyre dhe të zonave përreth.
“Me stadiumin dhe pallatin e sportit në Vlorë, stadiumin dhe pallatin e sportit në Durrës, stadiumin dhe pallatin e sportit në Korçë që do të ndjekin modelin e zhvillimit të stadiumit “Air Albania”. E njëjta vlen edhe për stadiumin “Selman Stermasi”, shprehet Elira Kokona.
Një formulë e ngjashme do të përdoret edhe për pronat publike. Nga ish-repartet ushtarake te magazinat, duke përfshirë uzinat dhe portet. Asetet shtetërore do të shkëmbehen ose shemben për interesa private. Në këmbim, shteti do të përfitojë zyra për administratën.
“Projekt i shfrytëzimit të godinave dhe asetet publike për të krijuar zyra për administratën publike është një projekt real. Ne do mund të ofrojmë zyra për mbi 13 mijë punonjës të administratës publike”, shton Kokona.
Të gjitha besimet nën një “çati”. Këtë synon të arrijë qeveria përmes projektit më të fundit për të ngritur 'Parkun e Besimit', në zonën e Petrelës në Tiranë, në afërsi të Kalasë. Me në fokus ‘bashkëjetesën fetare’, parku do të shërbejë si një vend që do të bashkojë besime të ndryshme.
"Kjo hapësirë duhet t’i kushtohet promovimit të harmonisë ndërfetare dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e natyrës në jetën shpirtërore dhe kulturore. Brenda parkut do të ketë edhe restorante të përshtatura me gatimet tradicionale të secilës komunitet fetar, si dhe do të ketë një pavijon me pemë e bimë që kanë rëndësi të veçantë për besimet fetare”, tha Kokona.
Me qëllim zbatimin e këtyre projekteve, kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve që kanë prona në afërti të aseteve publike.
“Sepse qëllimi ynë është të krijojmë një zhvillim jo vetëm të pronës sonë, por edhe të zonës urbane.”
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit tregojnë se nga viti 1991 e deri më tani i janë dhënë biznesmenëve të ndryshëm 21 mijë e 708 prona shtetëror me vlerë gati 27.5 miliardë lekë.
Ndërkohë aktualisht janë edhe 536 prona publike në pronësi të shtetit në proces privatizimi. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në tiranë, ndjekur nga Berati, Shkodra e Fieri. (A2 Televizion)