Ushqime të certifikuara, nga mishi te vezët, çdo produkt me kod sigurie

Nga Marjo Brakaj
21 Prill 2025, 15:13 | Ekonomi

Nga mishi dhe nënproduktet e tij te vezët apo bulmeti, bashkë me zarzavatet e reçelrat... produktet ushqimore që shiten në dyqane, markete dhe tregje duhet të jenë të pajisura me tregues identifikues të quajtur “lot” nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Udhëzimi i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon vendosjen e sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga prodhimi deri te shitja.

“Në vetvete është një kërkesë e tregut. Pra, kur një konsumator kërkon një produkt të sigurt dhe prodhuesi të prodhojë një produkt të sigurt... midis të dyjave është hallka e certifikimit e cila në një mënyrë balancon kërkesën me ofertë. Është tipike e kërkesës të tregut”, thotë për A2 CNN Sokol Stafa, ekspert i certifikimit të produkteve ushqimore.

Referuar udhëzimit të publikuar në fletoren zyrtare, lot-i do të jetë një kod me shkronja apo numra, që vendoset nga prodhuesi apo përpunuesi. Ky tregues do të mundësojë identifikimin e saktë të serisë së prodhimit të një produkti dhe do t’u vijë në ndihmë autoriteteve, për kontrollin e tyre.

“Ne kemi nevojë të krijojmë infrastrukturë të besueshme për konsumatorin tonë. Dhe për aq kohë sa flitet për skandale, ky objektiv ende nuk është arritur. Trupa e inspektorëve gjithashtu nuk ofron garanci. Nuk është fort e besueshme”, thotë Stafa.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë produktet bujqësore të dorëzuara direkt në stacione përpunimi; produktet në pikën e shitjes te konsumatori i fundit, kur nuk janë të parapaketuara; si dhe paketimet shumë të vogla, me sipërfaqe më të vogël se 10 cm².

“Çfarë është e rëndësishme është fakti që mbetjet e dëmshme te ato të jenë brenda normave të lejueshme”, thotë Stafa.

Për zbatimin e këtij udhëzimi i është ngarkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucion i vënë së fundmi në qendër të kritikave për shkak të mos-parandalimit të pulave me salmonelë nga Brazili apo luleshtrydheve me pesticide nga Greqia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos