Nga java e ardhshme, linjat e transportit urban dhe ndërqytetas mund të pakësojnë numrin e autobusëve. Pak më shumë se një javë nga takimi me qeverinë, shoqatat kërkojnë zgjidhje emergjente nga institucionet për të subvencionuar çmimin e naftës.
“Deri në këtë moment, pavarësisht problematikës së rënduar dhe urgjencës së situatës, nuk është zhvilluar takimi vijues i premtuar për t’u mbajtur më datë 07.04.2026, nuk kemi marrë asnjë reagim zyrtar, informacion konkret apo qëndrim institucional mbi mënyrën se si do të trajtohen kërkesat e paraqitura prej nesh dhe mbi masat që parashikohen për të ndihmuar operatorët e transportit publik. Kjo mungesë informacioni dhe mungesë reagimi po e rëndon më tej pasigurinë financiare dhe operacionale të subjekteve që ushtrojnë këtë veprimtari.”
“Nga java e ardhshme do të vihet seriozisht në rrezik vijimësia e shërbimit publik për qytetarët”, thuhet në letrën drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë Tiranë.
“Për këtë arsye, kërkojmë që të na vihet në dispozicion, në mënyrë sa më të shpejtë, një informacion i qartë mbi hapat që po ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me kërkesat tona, si dhe mbi afatet konkrete brenda të cilave pritet të ketë një vendimmarrje. Zvarritja e kësaj çështjeje për një kohë të pacaktuar e bën situatën të papërballueshme dhe e çon sektorin drejt pamundësisë reale për të garantuar shërbimin.”
Kërkesa kryesore e operatorëve mbetet dhënia e kompensimit, duke zbatuar skemën e ngjashme me atë të vitit 2022. Prej shoqatave të transportit, në takimin e 1 prillit, është propozuar masë kompensimi për naftën në vlerën 100 lekë për litër.
“Njëkohësisht, mbetet i domosdoshëm edhe nisja pa vonesë e trajtimit të elementeve fiskale që rëndojnë mbi operatorët, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në, me qëllim krijimin e një mbështetjeje më të plotë dhe më të qëndrueshme për sektorin. Megjithatë, për momentin, prioritet absolut mbetet ndërhyrja emergjente, pasi situata aktuale nuk pret dhe nuk mund të përballohet për një kohë të gjatë vetëm nga operatorët.”
Në total, në vend, për gjithë sektorin e transportit publik janë të licencuar rreth 235 operatorë për 450 linja të rregullta.
(A2 Televizion)