Për herë të parë në Shqipëri, kompensim për dëmet në shëndet nga ajri i ndotur

Nga Marjo Brakaj
1 Prill 2026, 15:46 | Ekonomi

Projektligji i ri për cilësinë e ajrit u njeh qytetarëve të drejtën për kompensim në rast dëmesh shëndetësore nga ndotja. Nisma synon të rrisë transparencën dhe monitorimin, duke përfshirë raportim në kohë reale dhe përfshirje më të madhe të publikut. Ndryshimet vijnë në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe pritet të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetesës.

Qytetarët që do të pësojnë probleme shëndetësore nga ndotja e ajrit do të mund të kërkojnë kompensim nga shteti. Kjo e drejtë është përfshirë për herë të parë në projektligjin e ri tëhedhur në konsultim publik “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.

“Projektligji synon gjithashtu të forcojë transparencën në raportimin mjedisor dhe të zgjerojë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, duke i dhënë qytetarëve rol aktiv në çështjet që prekin drejtpërdrejt mjedisin dhe shëndetin e tyre. Në tërësi, këto ndryshime priten të sjellin një përmirësim të prekshëm të cilësisë së ajrit dhe, për rrjedhojë, të kontribuojnë në ngritjen e standardit të jetesës së të gjithë qytetarëve”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Mjedisit.

Baza e re ligjore vjen si detyrim i përmbushjes së kushteve të diktuara nga negociatat me Bashkimin Evropian. Vetë Ministria e Mjedisit pranon se deri më sot Shqipëria nuk ka pasur mekanizma për të matur cilësinë e ajrit.

“Fusha e mbrojtjes së mjedisit në  përgjithësi dhe mbrojtja e cilësisë së ajrit në veçanti në Republikën e Shqipërisë ka pësuar zhvillime të rëndësishme gjatë viteve të fundit, në funksion të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian. Megjithatë, kuadri aktual ligjor paraqet boshllëqe dhe mangësi në lidhje me monitorimin e cilësisë së ajrit, përcaktimin e metodologjive dhe zbatimin masave në rastet e tejkalimit të  niveleve të përcaktuara të ndotësve”, vijon projektligji.

Përtej kësaj, projektligji sjell një paketë më të gjerë reformash që synojnë modernizimin e sistemit të monitorimit dhe menaxhimit të ndotjes.

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë vendoset të paktën një superstacion monitorimi në një vendndodhje me sfond urban dhe të paktën një superstacion monitorimi në një vendndodhje me sfond rural, në përputhje me kërkesat e legjislacionit të Bashkimit Evropian. Rregullat për krijimin, vendosjen, administrimin, funksionimin dhe kërkesat teknike për këto superstacione miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin”, thuhet më tej në projektligj.

Një tjetër aspekt është rritja e transparencës. Indeksi i cilësisë së ajrit do të përditësohet çdo orë dhe qytetarët do të informohen jo vetëm për nivelet e ndotjes, por edhe për efektet në shëndet dhe masat mbrojtëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos