Problemet e tregut të punës, që nisin me mungesën e fuqisë punëtore, pagat e ulëta dhe informalitetin janë shndërruar ndër shqetësimet kryesore të ekonomisë. Ko duket qartë, edhe në vendin që ato zënë në programet elektorale të partive politikë që garojnë për zgjedhjet e 11 majit.
Mungesa e punëtorëve; zhvlerësimi i euros; rritja e kostove të lëndëve të para; informaliteti dhe korrupsioni janë problemet kryesore që hasin bizneset në Shqipëri, të cilat janë edhe punëdhënësi kryesor.
Në kundërpërgjigje, partitë politike premtojnë në programet e tyre elektorale zgjidhjet e të gjitha këtyre problemeve dhe garantimin e një klime të qetë dhe nxitëse për biznesin.
Rritja e pagës minimale në 500 euro; rritja e pagës mesatare në 1300 euro; lufta kundër korrupsionit dhe digjitalizimi i shërbimeve publike janë vetëm disa nga premtimet e përbashkëta në programet e opozitës dhe mazhorancës.
Ndërkaq derisa zgjedhjet të përfundojnë dhe premtimet të realizohen, gjithmonë nëse kjo do të ndodhë, biznesi po i plotëson mangësitë në ciklin e prodhimit dhe aktivitetit të përditshëm me punëtorë nga jashtë.
Vendet nga ku po importojmë fuqi punëtore është Bangladeshi, Filipinet, India dhe Uganda.
Ditët e fundit, qeveria ka dorëzuar në Kuvend për miratim projektligjin për të huajt, nëpërmjet të cilit synon lehtësimin e tërheqjes së fuqisë punëtore nga jashtë, veçanërisht në prag të nisjes së sezonit turistik. (A2 Televizion)