Si ndikojnë tarifat e Trump? Shqipëria mund të përfitojë nga refuzimi i produkteve të BE

Nga Marjo Brakaj
3 Prill 2025, 16:10 | Ekonomi

Vendosja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë një “thikë me dy presa” për Shqipërinë. Vendi pritet të preket negativisht në drejtim të eksporteve dhe pozitivisht në atë të importeve. 

“Duhet ta themi në krye të herës që për shkak të vogëlsisë ë ekonomisë sonë, ndikimi nga aplikimi i tarifave do të jetë minimalist”, tha për A2 CNN eksperti për ekonominë Selim Blliku.

Por me gjithë ekonominë e vogël, ndonëse larg gjeografikisht, SHBA-të ishin partneri i pesë tregtar i Shqipërisë gjatë vitit të shkuar në drejtim të importeve që kapën vlerën e 20.5 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, eksportuesit shqiptarë çuan gjatë vitit të shkuar drejt Shteteve të Bashkuara mallra me vlerë mbi 7 miliardë lekë duke bërë që shtetet përtej Atlantikut të renditeshin në vendin e 13 në drejtim të eksporteve.

Si ndikojnë tarifat e Trump? Shqipëria mund të

Ndërkohë që efektet më të forta pritet të jepen nga aplikimi i tarifës 20 për qind ndaj vendeve të Bashkimit Europian.

“Nëse do të marrim vendet e Bashkimit Evropian, marrëdhënie më të ngushtë kemi me Greqinë dhe Italinë. Normalisht kjo do të përcillte efekte negative te eksportet drejt këtyre vendeve pasi këto të fundit do të përballeshim me tarifa të rritura nga SHBA-të”, tha më tej Selim Blliku.

Por Shqipëria, ashtu si thuajse çdo shtet tjetër në botë nuk është një ishull i largët e i izoluar nga parimet e përgjithshme të funksionimit të ekonomisë. Ndaj, nëse do të dilte e humbur te eksportet e kundërta pritet të ndodhë te importet nga politikat proteksioniste të presidentit Donald Trump që synojnë të mbrojnë interesin e prodhuesve amerikanë duke vendosur barriera me shtetet e tjera.

“Tregjet sot janë bërë aq të lidhura dhe dinamike, saqë çdo bllokadë zgjidhet shpejt dhe gjenden alternativa të reja për shkëmbime tregtare. “Prodhimet europiane të destinuara për tregun amerikan, të refuzuara nga ky i fundit në një farë mënyrë me vendosjen e tarifave të larta do të silleshin potencialisht në vende si Shqipëria”, tha për A2 CNN, eksperti për ekonominë Maksim Caslli.

Si ndikojnë tarifat e Trump? Shqipëria mund të

Shqipëria mbi 60 për qind të tregtisë së jashtme e zhvillon me kontinentin evropian, prandaj ecuria ekonomike e shteteve anëtare është kritike për kërkesën dhe investimet e huaja në vend. Në kushtet e “një rendi të ri global në drejtim të tregtisë”, ekspertët kërkojnë që vendi të zhvillojë një model të ri eksportesh të përqendruar jo vetëm te zarzavatet e fasoni.

“Kjo është thelbësore dhe nuk duhet vetëm për hatër të situatës. Shqipëria ka nevojë për vlerë të shtuar në eksporte. Të prodhojë produkte që bota ka nevojë”, shtoi Caslli.

Shqipëria bashkë me Kosovën dhe Malin e Zi janë tre vendet mbi të cilat do të aplikohet vetëm tarifa bazë, 10 për qind nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për produktet nga Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe  Serbia, tarifat variojnë nga 33 në 37 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos