Deputetët në Komisionin e Ekonomise nuk janë dakord me propozimin e kryeministrit Rama për rivlerësim të pronave me 5%. Më herët ishte deputetja socialiste Blerina Gjylameti që hartoi një nismë ku parashikonte një tatim prej 3% të pasurive të paluajtshme.
Nisma mbeti peng për një kohë të gjatë dhe u përfshi në komision pasi kreu i qeverisë deklaroi një shifër më të rritur se deputetja. Por për ligjvënësit 5%-shi nuk do t’i nxisë njerëzit për kryerjen e këtij procesi, duke ndikuar edhe tek të ardhurat në buxhet.
“Njerëzit me 5% do tkurren, propozoj të jetë me 3 %. Do sjellë më shumë të ardhura në buxhet”.
Një propozim u hodh në këtë komision edhe për shtyrjen e afatit veprues të ligjit deri në fund të vitit 2025. Nga ana tjetër deputetët kërkuan edhe ndryshim të tatimit për pronarët me më shumë se një banesa.
"Të merren parasysh edhe ata të cilët zotërojnë më shumë se një banesë", tha Erion Braçe.
“Afati te shtyhet deri në fund të 2025. Shikoni mos e zbresim tarifën deri në 2%”, u shpreh Edmond Spaho.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit. (A2 Televizion)