Inspektorati Shtetëror i Punës ka hartuar një plan masash për kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik në të gjithë vendin.
Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se qëllimi i këtyre kontrolleve është të garantojë kushte pune të ndershme dhe të sigurta, duke mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe promovuar ligjshmërinë në sektorin e turizmit.
Në kuadër të këtij plani, Inspektorati mësohet se do të fokusojë vëmendjen në pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, duke bërë kontrolle rigoroze për regjistrimin dhe pagesën e kontributeve.
Po ashtu, do të monitorohen me kujdes të drejtat e punëtorëve nën moshën 18 vjeç, për të siguruar respektimin e ligjit mbi punësimin e të miturve dhe ndalimin e punëve të rrezikshme apo të natës.
Verifikimi i rregullshmërisë së dokumentacionit për punëtorët e huaj dhe respektimi i të drejtave të tyre ligjore është gjithashtu një prioritet i këtij plani.
Kontrollet do të përfshijnë gjithashtu vlerësimin e pagesës së orëve shtesë, në mënyrë që llogaritja dhe pagesa të bëhen në përputhje me Kodin e Punës, si dhe do të garantohet që çdo punonjës të përfitojë ditët e pushimit javore që i takojnë.
Inspektorati i Punës i bën thirrje të gjithë punonjësve që të denoncojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për krijimin e një tregu pune të ndershëm dhe të sigurt. (A2 Televizion)