Disa vatra zjarresh janë regjistruar në pyje, dy prej të cilave në Liqenin e Luleve, në Parkun Kombëtar të Luleve dhe në Drenovë të Fierit; gjithashtu është shënuar një përmbytje dhe një rrëshqitje dheu, së bashku me ndërtime pa leje në Theth.
Pas më shumë se dy vitesh nga lëshimi në hapësirë, satelitët Albania 1 dhe Albania 2 nuk po përdoren mjaftueshëm, të paktën jo aq sa për të justifikuar koston prej 6 milionë dollarësh, shkruan A2 CNN.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përdor shërbimin satelitor për menaxhimin e fatkeqësive përgjatë katër fazave të saj, konkretisht: për parandalimin, përgatitjen, përgjigjen emergjente, si dhe fazën e rimëkëmbjes (vlerësim dëmesh, planifikimi i masave strukturore për rehabilitim, monitorimi i procesit të rikthimit në gjendjen normale/rehabilitimit).
Ministria e Mbrojtjes
Në komunitetin hapësinor, Shqipëria është që nga 3 janari i vitit 2023 në mesin e 80 shteteve që kanë satelitë – listë që kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë mbi gjysmën e tyre, apo mbi 5 mijë satelitë nga rreth 8,700 në orbitë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, përfitimet deri më tani janë shtrirë vetëm në drejtim të krijimit të hartave gjeo-hapësinore.
Këto harta janë përdorur për analizimin dhe vlerësimin e zonave të dëmtuara, ku janë paraqitur zonat e prekura nga zjarri me shtresat: ndërtesa, rrugë, zonat e prekura nga zjarri, sipërfaqe me bimësi të dendur, bimësi të ulët, pa bimësi, ranore apo ujore.
Ministria e Mbrojtjes
Të dhënat nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se deri në fund të qershorit të këtij viti, nga satelitët Albania 1 dhe Albania 2 kanë përfituar, kryesisht në formën e imazheve, 29 institucione, ku pjesa më e madhe janë agjenci, bashki dhe ministri.
Është plotësuar lista e përbërë nga 22 persona si pika kontakti të 16 institucioneve përfituese nga projekti. Janë kryer takime me të gjithë pikat e kontaktit të institucioneve për t’i njohur me ecurinë e projektit, si dhe me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike të strukturave të përfshira. Gjatë vitit 2024 janë kryer trajnime të veçanta me 38 institucione publike me pjesëmarrjen e 212 specialistëve.
Ministria e Mbrojtjes
Prej fillimit të vitit 2023, Shqipëria po fotografohet nga ajri përmes satelitëve Albania 1 dhe Albania 2, me qëllim analizimin e problemeve të territorit: nga dëmet e shkaktuara nga zjarret dhe përmbytjet, te menaxhimi i zonave të mbrojtura apo zonat me thatësirë të theksuar që paraqesin rrezik për zjarre në të ardhmen.
Megjithatë, ndërtimet pa leje po pushtojnë zona të mbrojtura – siç është rasti i Thethit, zjarret po vijojnë të djegin pyjet, ndërsa përmbytjet nuk po kursejnë të mbjellat. (A2 Televizion)