Apeli e riktheu për pak ditë në qeli, Vangjush Dako përfundon dënimin

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 09:23 | Kronikë

Apeli e riktheu për pak ditë në qeli, Vangjush Dako

Vangjush Dako ka kryer përfundimisht dënimin me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Pasi u kthye në burgun e Durrësit në zbatim të vendimit të 16 shtatorit nga Apeli i GJKKO, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin për “shpërdorim detyre”, Dako ka lënë këtë të premte qelinë e tij.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit përfitoi uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe dënimi final ndaj tij ishte 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Burime pranë SPAK bënë me dije për A2 CNN më 16 shtator se në zbatim të vendimi të Apelit, Dako duhej të kthehej në qeli për të vajtuar pjesën e mbetur të dënimit, por nuk saktësuan ditët, apo javët.

Nga ana tjetër, referuar kohës së qëndrimin në masën “arrest në burg” dhe atë të “arrestit në shtëpi”, llogaritej që Dako duhet të qëndronte afërsisht dy javë deri në përfundimin e dënimit, afat kohor që ka përfunduar sot.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Dako shpërdoroi detyrën gjatë procedurës së miratimit të lejes për ndërtimin e një pallati, si edhe gjatë projektimit për ndërtimit të një shëtitoreje në qytetin bregdetar.

Dako u prangos me kërkesë të SPAK në qershor 2023, ndërsa u lirua në shkurt të vitit pasardhës për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit. Deri në shpalljen e vendimit në Apel ish-zyrtari i lartë qëndroi në “arrest shtëpie”.

Në të njëjtin vendim me Dakon Apeli i Posaçëm la të pandryshuar dënimin me nga 2 vjet burg për të bashkëpandehurit Fiqiri Farruku dhe Edmond Bulku, të fajësuar për “falsifikim të dokumenteve”, dënim që ju konvertua në Shërbim Prove.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos