Gropat më në fund "lajm", 770 mijë euro për riparimin e aksit Vorë- Ura e Dajlanit

Nga Marjo Brakaj
9 Korrik 2025, 16:45 | Ekonomi

Autostrada që lidh Tiranën me Durrësin, një nga rrugët më të rëndësishme të vendit, është prej kohësh në gjendje të amortizuar. Gropa të thella, shtresa të dëmtuara asfalti dhe bllokime të përditshme trafiku e kanë kthyer këtë aks në simbolin e një infrastrukture të neglizhuar. Së fundmi qeveria ka çelur një tender urgjent për riparimin e aksit rrugor.

Lidh dy qytetet më të mëdha të vendit... çdo ditë udhëtimi është një sfidë më vete... secila gropë ka historinë e saj, ndërsa GPS-i nuk të tregon më rrugën më të shpejtë, por atë më pak të dëmtuar. Tiranë-Durrës! “Emergjencën” për autostradën që zgjon zemërimin e përditshëm të drejtuesve të mjeteve e pranon edhe qeveria.

“Aktualisht në të dy anët e këtij segmenti rrugor ka dëmtime të konsiderueshme si rrjetëzime, gropëzime si dhe dëmtime deri në nënshtresa në zona të veçanta. Shtresa e asfaltobetonit dhe binderit është e konsumuar dhe e rrjetëzuar në rreth 25% të sipërfaqes dhe shtresa e konglomeratit bituminoz është e dëmtuar në rreth 30% të sipërfaqes së ndërhyrjes me asfaltobeton dhe binder”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Qeveria ka shpallur një tender emergjent me vlerë 77 milionë lekë, rreth 770 mijë euro për riparimin e këtij segmenti. Ndërhyrja do të përqendrohet mes Vorës dhe Urës së Dajlanit, aty ku dëmtimet janë më të theksuara dhe trafiku më problematik.

“Këto zona janë tipike në drejtimin Vorë – Ura e Dajlanit (Pika 0 në dalje të mbikalimit të Vorës, Karburant Elda, Hyrje dalje Gjiri i Lalzit, Bistro Sukth, Mbikalimi i Shkozetit, Karburant Kastrati dalje Durrës). Në pesë – gjashtë raste ka dëmtime edhe korsia e shpejtësisë. Kurse në drejtimin Ura e Dajlanit – Vorë dëmtimet janë në sipërfaqe më të mëdha”, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërhyrja e parashikuar përfshin skarifikimin e të gjithë shtresës ekzistuese të tapetit, binderit dhe konglomeratit të dëmtuar.

Ndërhyrja parashikon skarifikimin e të gjithë shtresës së tapetit, shtresën e binderit dhe të konglomeratit të dëmtuar. 3 Pas skarifikimit do të vazhdohet me profilimin e shtresës së konglomeratit, binderit me trashësi 6cm dhe asfaltimin e shtresës së tapetit me trashësi 4cm. Më tej sinjalistika horizontale e vijëzimit gjatësor me gjerësi 15cm dhe 25cm shenjave të trafikut do të bëhet me bojë bikomponente sprajt.

Emergjenca është shpallur, ndonëse në pikun e sezonit turistik veror. Tani mbetet për t’u parë nëse zgjidhja do të jetë po aq “urgjente” sa titulli i tenderit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos