Taksat nuk vilen! Bashkitë po mbledhin vetëm 1 në 3 lekë të planifikuara

Nga Marjo Brakaj
10 Korrik 2025, 16:38 | Ekonomi

Nga taksat mbi pronën tek ato për shfrytëzimin e hapësirave publike, bashkë me tarifat për pastrim apo ndriçim... bashkitë mblodhën vetëm një të tretën e parave që duhet të arkëtonin nga qytetarët dhe bizneset në harkun e muajve janar maj. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga gati 41 miliardë lekë planifikuara, në 5-muajt e parë të vitit 61 njësitë e pushtetit vendor mblodhën vetëm 15 miliardë lekë.

Taksat nuk vilen! Bashkitë po mbledhin vetëm 1 në 3 lekë

"Kur bashkitë nuk arrijnë të mbledhin të ardhurat e planifikuara, ndikimi ndjehet drejtpërdrejt te qytetarët. Mungesa e burimeve financiare nënkupton më pak shërbime, më pak investime dhe më shumë varësi nga qeveria qendrore. Kjo është një thirrje për të reflektuar mbi kapacitetet vendore, por edhe për të përmirësuar sistemin aktual të financimit lokal", deklaroi për A2 CNN Adelina Farrici, Drejtoreshë, Shoqata për Autonominë Vendore.

Të dhënat nga “financat” tregojnë se nga më shumë se 32 miliardë lekë të planifikuara, në 5-mujorin janar-maj bashkitë mblodhën vetëm 11 miliardë taksa lokale. Gati 21 miliardë lekë më pak apo vetëm 35 për qind e shumës që duhej arkëtuar.

“Ato tregojnë jo vetëm dobësi në arkëtim, por edhe pasojë të mungesës së kapaciteteve administrative e njerëzore në shumë bashki. Mbi të gjitha, vënë në rrezik funksionimin normal të shërbimeve vendore. Kur mbledhja ngec, edhe shërbimet ndaj qytetarëve fillojnë të bien – dhe kjo prek drejtpërdrejt cilësinë e jetesës", theksoi për A2 CNN Farrici

Më optimiste janë shifrat në drejtim të mbledhjes së taksave dhe tarifave nga biznesi i vogël. Nga 33 miliardë lekë të planifikuara, në janar-mars u mblodhën 28 miliardë lekë. Shifër kjo sa 85 për qind e planit.

Taksat nuk vilen! Bashkitë po mbledhin vetëm 1 në 3 lekë

"Kjo tregon se kur ka strukturë të mirë dhe bashkëpunim me biznesin e vogël, rezultatet janë të prekshme. Është një shenjë pozitive që duhet theksuar dhe shfrytëzuar për të përmirësuar edhe sektorë të tjerë të financave vendore", thotë Adelina Farrici.

Në një moment kur bashkitë përballen me para që mungojnë në arkat e tyre dhe qytetarët presin shërbime më të mira, Kryeministrit Rama paralajmëron duke premtuar se nuk do të ketë më tolerancë për zaptimet e hapësirave publike, dhe reforma ligjore do të jetë një armë e fortë për të kthyer rendin dhe rregullin në territor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos