Një ngjarje e rëndë, por edhe e pazakontë ndodhi orët e para të mëngjesit në një azil të moshuarish në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. 78-vjeçari i identifikuar si Zyhdi Shehi, goditi për vdekje me bastunin e tij Virxhil Veshon, 82 vjeç me të cilin ndante dhe dhomën e fjetjes.
E gjithë ngjarja ndodhi për arsye banale, ku Shehi e goditi të moshuarin tjetër se i kishte zënë krevatin ku flinte. Policia konfirmoi ngjarjen e ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në shtëpinë e kujdesit "Ruaje moshën" dhe bëri me dije se viktima Virxhil Vesho humbi jetën si pasojë e goditjeve dhe traumave në pjesën e kokës.
Goditjet e 78-vjeçarit kanë qenë aq të forta saqë sipas policisë edhe bastuni i tij u thye. Të dy të moshuarit sipas përfaqësuesve të azilit privat vuanin nga skleroza, ndërsa Shehi u shoqërua në komisariat.
78-vjeçari i lindur më 1946, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime dhe publicistikë historike e letrare. Madje ai vitin e kaluar u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake. (A2 Televizion)