Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi ndaj kryebashkiakut, i akuzuar për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, u mor nga gjyqtari Erion Bani, në përfundim të një seance informuese dy-mujore të SPAK, proces ku prokurorët informuan gjykatën mbi ecurinë e hetimit gjatë kësaj periudhe.
Burime nga seanca me dyer të mbyllura, ku vetë kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm, bënë me dije se prokurorët e SPAK prezantuan 114 akte shkresore, ndër të cilat deklarime të personave që kanë dijeni, si edhe komunikime me institucione të tjera, shkruan A2 CNN.
Mes veprimeve hetimore të raportuara ishte edhe këqyrja e aparatit telefonik të një punonjësi të policisë së burgjeve, pajisje që dyshohet se është përdorur nga Veliaj për telefonata gjatë transportit nga paraburgimi i Durrësit drejt Apelit, për seancën e ankimimit të masës së sigurisë. Pas kundërshtimeve ndaj akteve të prokurorisë, avokatët e Veliajt i kërkuan gjykatës zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun, kërkesë që nuk u mor në konsideratë nga gjyqtari Bani.
Në të njëjtin vendim, gjyqtari vendosi të lërë të pandryshuar masën e “arrestit në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule, i cili është nën hetim për të njëjtën çështje. Erion Veliaj qëndron në qeli prej 10 shkurtit, pas një mase “arrest në burg” të caktuar në mungesë ndaj tij, masë që nuk arriti ta rrëzojë në dy shkallët e para të gjykimit. Në vendimin e 13 marsit, Apeli i Posaçëm vlerësoi se kryebashkiaku Veliaj paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe se, nëse nuk mbahet në paraburgim, rrezikon të dëmtojë provat dhe t’i fshihet hetimit.
Sipas SPAK, ai dyshohet se, në bashkëpunim me bashkëshorten Ajola Xoxe – e cila po hetohet në masën “detyrim për paraqitje” – kanë ngritur një skemë korruptive me qëllim përvetësimin e parave publike. Për të njëjtën çështje po hetohen në masën “detyrim për paraqitje” edhe pesë biznesmenë të tjerë. (A2 Televizion)