Detaje të reja janë zbardhur nga policia e Vlorës për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, ku një 17-vjeçare tentoi të vetëvritej me armë zjarri.
Blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë arrestuar babanë e adoleshentes, pasi dyshohet se ka qenë dhuna psikologjike e ushtruar prej tij, shkaku që ka shtyrë të bijën drejt aktit ekstrem.
“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë: arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë”, informon policia.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i 17-vjeçares pasi dyshohet se pistoleta që ajo përdori për të kryer vetëvrasje, posedohej prej tij në mënyrë të paligjshme.
“U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij”, sqaron më tej policia.
Po ashtu bëhet me dije se vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Sakaq 17-vjeçarja, e cila mori një plumb në kokë ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
Ditën e djeshme, A2 CNN mësoi nga burime pranë spitalit të Vlorës se adoleshentja ka qenë e vetëdijshme kur ka mbërritur aty, por në momentin e parë ajo ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në koma. Sipas mjekëve, ajo ka dy dëmtime në kokë, një në pjesën e syrit, afër tëmthit, dhe një tjetër në pjesën e sipërme të kokës, ku edhe plumbi fatmirësisht ka dalë duke shmangur një hemorragji që do të kishte rezultuar fatale për të. (A2 Televizion)