Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar falë ndërhyrjes së Policisë së Shkodrës, në fshatin Dobraç. Një 41-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi ka qëlluar me armë zjarri, me qëllim kanosjen e fqinjit të tij.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se pas marrjes së informacionit për një konflikt të armatosur në Dobraç, forcat policore të Komisariatit të Shkodrës, në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme dhe njësinë e posaçme “Shqiponja”, kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i reagimit të shpejtë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit S. J., 41 vjeç, banues në Dobraç, i cili dyshohet se për motive të dobëta ka përdorur një armë zjarri pistoletë për të kanosur shtetasin A. K., fqinj i tij.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Ndërkohë, arma e zjarrit e përdorur është sekuestruar nga shërbimet policore si provë materiale. (A2 Televizion)