PS me 83 mandate, Peleshi: Rrezikohemi nga arroganca, të synojmë konsensusin

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 17:03 | Politikë

Në legjislaturën e re parlamentare mazhoranca socialiste rrezikon të bjerë pre e arrogancës së mandateve të veta. Këtë e pohon edhe kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi në një intervistë për A2CNN.

83 deputetët socialistë, një votë larg shumicës të cilësuar, sipas tij, nuk duhet të miratojnë të vetëm ndryshimet që Kodin Elektoral.

“Numrat e shumtë, 83 afër shumicës të cilësuar, të jep një siguri, por sfida kryesore si të shmangesh arrogancën e numrave. Ai është një rrezik që qëndron gjithmonë pranë nesh, kur e di se ke numrat për të miratuar edhe ligje që s’ta bënë të nevojshme t’i shtrish dorën opozitës. Unë do të uroja që ne duhet të synojmë të kemi konsesus edhe nga opozita për ndryshimet e kodeve zgjedhoreapo kodeve të tjera”, tha Peleshi.

Por nëse vullneti për dialog politik shfrytëzohet nga kundërshtari për të penguar procesin e integrimit në BE, Peleshi mendon se mazhoranca duhet të miratojë çdo nismë, edhe e vetme, që e afron vendin me Brukselin, pavarësisht nëse do jetë dakord apo jo PD.

“Ne do të synojmë që të kemi sa më shumë konsensus nga radhët e opozitës, kjo është e rëndësishme, por nuk është më e rëndësishme se sa mbajtja e ritmit të anëtarësimit, që do të thotë nëse nuk ka vullnet politik, nëse nuk ka bashkëpunim dhe nëse ne i kemi numrat, e thënë në mënyrë popullore, ne do të ecim përpara se nuk mund ta komprometojmë procesin e integrimit europian për shkak të axhendës së opozitës. Së pari përulemi përpara ëndrrës europiane”, shton Peleshi.

Për këtë arsye sipas burimeve brenda grupit, socialistët po mendojnë që komisionin antikorrupsin të drejtuar nga Fatmir Xhafaj ta kthejnë në një mekanizëm të përhershëm parlamentar, për të evituar në këtë mënyrë edhe bojkotimin e opozitës. Në këtë valë ndryshimesh në Kuvend pritet të preken edhe komisione të tjera parlamentare. Vetë Peleshi nuk e konfirmon pavarësisht se do të ishte dakord për superkomisionin e kolegut Xhafaj.

“Komisioni Antikorrupsion është i jashtëzakonshëm për nga rëndësia për ta çuar në një nivel tjetër atë që bëmë më reformën në drejtësi, për ta mbrotjur dhe për ta konsoliduar këtë reformë të paprekur. Dhe për ta plotësuar sepse  Antikorrupsioni nuk luftohet vetëm me represion, por edhe me modernizim, derregullim, me rishikim të procedurave. Na duhet të mbajmë gjithmonë një vështrim, si syri i këtij komisioni që mbase mund ta meritojë të jetë i përhershëm, por mos e merrni si lajm se nuk e kam për ta ndarë si lajm”, tha ai.

Peleshi do të ketë në grup parlamentar 54 kolegë të rinj, disa prej të cilëve më të votuarit brenda radhëve të socialistëve. Ai i mbron përballë sulmeve politike për lidhje me grupet kriminale, por nuk e fsheh që mungesa e eksperiencës mund t’i përballë me sfida në jetën parlamentare.

“Është një sfidë se kjo punë kërkon edhe eksperiencë, por lajmi i mirë është se të gjithë janë profesionisht. Kanë fituar absolutisht me meritë, nuk merr dot mbështetje popullore nëse nuk e meriton. Të gjithë të tjerat janë politikë, akuza, janë tym. Është krijuar një konotacion negativ për politikanët, duhet të gëlltitesh një gotë helmi para se të hysh në politikë në Shqipëri dhe jo vetëm”, deklaroi Peleshi.

Pora do të jetë sërish ai në krye të formacionit të ri parlamentar të PS në shtator?

“Nuk e di se si do të jetë vendimmarrja, por çdo detyrë që do të më ngarkohet e ndjej si borxh ndaj atyre që më kanë votuar për shumë vite për ta bërë sa më mirë”.

I gjithë ekipi i mazhorancës qeverisë së mbetet në pritje të ndryshimeve të mundshme të shefit të tyre politik Edi Rama, nëse në Shtator disa prej tyre do të ruajnë pozicionet aktuale, do shpërblehen me poste të reja apo do të rrëzohen nga karrigia e pushtetit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos