2 milionë euro për të vrarë “Krymin”, Erion Alibej: Ja si donin të më ekzekutonin

Nga Xhensila Kodra
10 Qershor 2025, 20:01 | Kronikë

Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë shqiptare Erion Alibej vijoi rrëfimet e forta në Gjykatën e Posaçme. Sipas deklarimeve, e gjithë historia vërtitet rreth Talo Çelës, që sipas tij, bashkë me vëllezërit Haxhia në Durrës e Dorjan Shkozën, dyshoheshin se i kishin vrarë të vëllanë, xhaxhain dhe mikun e tij turk në të ashtuquajturën “Masakra e Bradasheshit”, në vitin 2018.

Alibej tregoi mbi përpjekjet që ka bërë për të rënë në gjurmët e të dyshuarve për vrasjen e vëllait të tij. Emrat, thotë ai, i kishte mësuar nga vëllai i Nuredin Dumanit, Dashnori. Alibej rrëfeu edhe bisedën e bërë nga Sky ECC, ku për vrasjen e tij ofroheshin 2 milionë euro, shkruan A2.

“Pas vrasjes se vëllezërve Haxhia, Nuredini erdhi në shtëpinë time dhe në atë kohë ka qenë kohë Covidi. Doja të lidhja një kontakt me vëllain e Nuredinit, Dashnor Dumanin që ishte njeriu me i afërt i ekzekutorëve të familjes time. Dashnori jetonte në Gjermani dhe i çova një telefonatë sky nëpërmjet një të njohurit tim. Me anë të Eljo Bitrit lidhim kontakt me Mikael Qosen. Në një moment ai i dërgon Nuredinit një foto me shumë lekë në tavolinë dhe i thotë: “Ke 2 milionë euro për të vrarë “Krymin”, pseudonim për mua. Dumani i tha që të vras Erjon Alibejn dua të më japësh gjysmat e lekëve dhe Talo Çelën”, dëshmoi Alibej.

Alibej tregoi më tej për paratë që kishte dhënë për të vrarë Dorjan Shkozën, por edhe për atentatin ku objektiv ishte Altin Ndoci e që gabimisht u ekzekutua Viktor Haxhia: “Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro. Armët bliheshin tek hoxha nga 500 deri në 3500 euro. Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit 2 kallashë dhe 1 pistoletë, ça më kërkonte, ia jepja. Plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Ai ka qenë rastësisht aty. Në makinë ishte dhe Altin Ndoci por kishte zbritur rrugës. Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezërve Haxhia pasi mund ta ekzekutonim Altin Ndocin edhe ditën e varrimit të tyre, por ai nuk shkoi. Pas vrasjes u shoqërua “nipi” në polici dhe Nuredini më tha “më duket se ky po flet” dhe me sa mora vesh e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri i Pojës” që Nuredini e kishte mik”.

Për gjetjen e Talo Çelës Alibej ka biseduar edhe me Plaurent Dervishajn: “Në Sky Ecc më shkuan Plarent Dervishi. Kam pas kontakt me të. Ai kishte kodet “barcelona” dhe “gost”. Platenti më tha “më bohet qefi që e ke gjet Talo Çelën”. Unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plaurenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin”.

I penduari i drejtësisë tregoi edhe për mënyrën se si siguronte makinat që përdoreshin në vrasje dhe u mbivendosnin targa të vjedhura, por edhe për veshjet që silleshin nga Kosova me mbishkrimin OFL sipas emrit te Operacionit Forca e Ligjit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos