Ish-drejtues të Policisë së Shtetit, punonjës aktualë të uniformave blu, prokurorë e oficerë të policisë gjyqësore garojnë për t’u zgjedhur në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
SPAK publikoi këtë të martë listën përfundimtare me 13 emrat që garojnë për një nga postet më të rëndësishme të institucioneve të drejtësisë që cilësohet edhe si FBI-ja shqiptare.
Emrat që spikasin janë 2 ish-drejtorët e Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe Haki Çako, si dhe zv/drejtori i BKH, Joni Keta, shkruan A2.
Emri i Gledis Nanos del në skenë 3 vite pas shkarkimit nga detyra që mbante si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i emëruar në tetor të 2021. Këtë post ai e mbajti për 10 muaj deri në shkarkimin nga detyra.
Në atë kohë pati polemika të shumta se për emërimin e tij në krye të uniformave blu kishin ndikuar agjencitë e huaja e kryesisht ato amerikane, për shkak edhe të formimit arsimor të Gledis Nanos, por edhe si një nga personat që kishte marrë pjesë në riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë.
Duket se historia tashmë po përsëritet me kandidimin e tij për të qenë në krye të FBI-së shqiptare.
Një tjetër emër garues është Haki Çako, një ish-drejtues i Policisë së Shtetit në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Sajmir Tahiri. Aktualisht, ai drejton Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Civile.
Për të qenë kreu i BKH-së garon edhe Joni Keta, që deri më tani mban postin e zv/drejtorit të këtij institucioni.
Tashmë procesi i emërimit të drejtorit të ri do të kalojë në 7 faza, si testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, ese me shkrim, intervistë dhe më pas bëhet verifikimi i figurës, deklarimi i pasurisë dhe testi i poligrafit.
Procesi zhvillohet në SPAK nga komisioni i përzgjedhjes me 3 prokurorët, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Deri më 31 gusht në kry e të BKH qëndron Aida Hajdan të cilës i përfundon edhe mandate. Ajo gëzonte të drejtën të garonte për tu riemëruar në një mandat të dytë, por nuk i dorëzoi dokumentacionet. (A2 Televizion)