42-vjeçari në Pogradec vdiq pas sherrit në lokal, arrestohet autori dhe 3 të tjerë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2024, 10:26 | Kronikë

Policia e Pogradecit ka zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes së ndodhur në orët e vona të pasdites së djeshme, në një lokal pranë vendit të njohur si “Agjencia e Autobusëve”.

Blutë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë kanë vënë në pranga 29-vjeçarin Denis Meçe, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar fraktura të rënda që çuan në vdekjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga.

Sipas policisë konflikti mes tyre ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa A2 CNN mëson nga burime se viktima dhe autori kanë qenë duke konsumuar alkool në lokalin e babait të 42-vjeçarit.

Për ngjarjen në fjalë në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

“Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi  D. M.,  29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik  është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar  nga vendi i ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për  Krimet  Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: V. S.,  40 vjeç,  A. M.,  55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale "Moskallzim krimi", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos