A2 CNN ka siguruar foton e 31-vjeçarit Imer Krashi, alias Imer Masha dhe Imer Uka, i arrestuar këtë të diel pasi përplasi me makinë një efektiv policie jashtë shërbimin dhe bashkëshorten e tij, si dhe 9 mjete të tjera në përpjekje për t’i shpëtuar policisë.
Autoritetet thanë se e kishin ndaluar Krashin pasi kishin informacione se mbante armë në makinë, siç edhe rezultoi nga kërkimi në mjet pas ndalimit.
Për blutë e kryeqytetit, Krashi është person me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.
Çfarë ndodhi?
Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.
Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit. Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë. (A2 Televizion)