
A2 CNN ka siguruar momentin kur u dhunua një efektiv policie këtë të të hënë në Vlorë.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 12:20, Policia është njoftuar për një konflikt në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës. Në përplasje janë përfshirë punonjës të INUV dhe tre shtetas, konkretisht I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç.
Në afërsi të vendit të ngjarjes ndodheshin duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Gjatë ndërhyrjes, ata janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e përfshirë në konflikt.
Në përpjekje për të ndalur sulmin dhe për të vendosur rendin, njëri prej punonjësve të Policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime apo pasoja për persona të tjerë.
Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy efektivët e Policisë kanë pësuar dëmtime fizike dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Burime zyrtare bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të ngjarjes. (A2 Televizion)