Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës, në autostradën Fier-Lushnje.
Në aksident u përfshinë dy automjete, shkruan A2.
Një furgon tip Benz, që i përkiste një kompanie udhëtimesh dhe po transportonte pasagjerë drejt aeroportit të Rinasit, është goditur nga pas gjatë një parakalimi nga një automjet tjetër, tip Benz AMG.
Si pasojë e përplasjes, automjeti AMG është përfshirë nga flakët.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:30, në aksin rrugor "Fier-Lushnjë" automjeti me drejtues shtetasin K. E., 24 vjeç, banues në Fier, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. T., 55 vjeç, banues në Fier.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre pasagjerët e automjetit që drejtohej nga shtetasi D. T., shtetasi G. K., 68 vjeç, shtetasja S. J., 44 vjeçe dhe shtetasja O. K., 54 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, si pasojë e përplasjes, automjeti me drejtues shtetasin K. E., ka dalë nga rruga dhe ka marrë flakë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. (A2 Televizion)