Meta kërkon lirimin nga paraburgimi, dorëzon kërkesë në Gjykatën e Posaçme

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 12:50 | Kronikë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkon zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar nga Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar, raporton A2 CNN. Kërkesa është dorëzuar një ditë më parë nga avokati i tij mbrojtës, në lidhje me verifikimin e kushteve dhe zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë.

Në kërkesë avokati argumenton se janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen.

Më 9 qershor, Prokuroria e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ndërsa avokati i tij në një deklaratë për mediat tha se do e ankimojë këtë vendim, pasi sipas tij është në kundërshtim me ligjin, shkruan A2 CNN.

Ish-Presidenti i Republikës dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë nën akuzë nga SPAK për disa vepra, si “korrupsionit pasiv”, kryer në bashkëpunim, “pastrimi i parave”, por edhe “fshehja e mosdeklarimi i pasurisë”.

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 në hyrje të Tiranës, ndërsa po kthehej nga një vizitë në Kosovë; më pas u shoqërua drejt drejtorisë së Policisë dhe u vendos në bllokun e sigurisë. Videoja e momentit të arrestimit u bë virale për shkak se ish-presidenti tërhiqej me dhunë nga makina, për shkak se nuk kishte pranuar të dilte vullnetarisht.

Më 27 maj 2025, SPAK-i zyrtarizoi akuzat ndaj tij për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke përfshirë dosjen “CEZ‑DIA” dhe lobimin në SHBA për LSI‑në. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos