Aksioni për kapjen e një të kërkuari në Dibër, dëmtohen rëndë gjatë operacionit dy efektivë policie

Nga Igli Çelmeta
4 Mars 2026, 15:13 | Kronikë

Dy efektivë policie të forcave “Shqiponja” në Dibër janë dëmtuar gjatë një aksioni për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur në Maqellarë, Dibër, gjatë operacionit për arrestimin e 35-vjeçarit Klodian Llomi, i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vite e 7 muaj burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Por, ai do ta vuajë dënimin në Shqipëri, pasi Gjykata e Apelit në vendin tonë ka njohur vendimin e Gjykatës së Apelit në shtetin fqinj.

Gjatë operacionit për arrestimin e 35-vjeçarit, efektivi Gentjan Meda ka rënë nga muri rrethues i banesës trekatëshe ku ndodhej i kërkuari, duke u lënduar në kokë dhe trup. Ai ka marrë ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, ndërsa gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Edhe pse është koshient, efektivi po mbahet nën monitorim nga ekipi mjekësor, për shkak të lëndimeve që ka pësuar në kokë.

Po ashtu, gjatë aksionit është dëmtuar edhe kolegu i tij, Bilal Gjapi, i cili ka pësuar dëmtime të këmbës. Ndërkohë, vetë i kërkuari Klodian Llomi është hedhur nga kati i dytë për t'u arratisur, por është neutralizuar nga policia dhe është vënë në pranga. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos