Zbulohen drogë dhe armë të murosura në banesë, 3 në pranga

Nga A2 CNN
4 Mars 2026, 12:17 | Kronikë

Zbulohen drogë dhe armë të murosura në banesë, 3

Forcat “Shqiponja” arrestuan në Shkodër 3 shtetas për armë-mbajtje pa leje dhe posedim narkotikësh me synim shitje. Policia ndaloi një motomjet të drejtuar nga një i mitur, i cili së bashku me pasagjerin 18 vjeçar me inicialet M. M., e përdornin mjetin për të shitur doza narkotike të ndara në qese.

 Më pas, u kontrollua banesa e 18 vjeçarit ku gjendeshin dhe shtetasi P. M. (vëllai i tij), 20 vjeç dhe Z. M. (xhaxhai i tyre), 36 vjeç. Në banesë u gjetën lëndë narkotike, armë zjarri, municion dhe disa celularë. 3 shtetasit janë arrestuar, ndërsa 20 vjeçari, P.M., po procedohet në gjendje të lirë.

Deklarata e plotë e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:

Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Delivery”, për goditjen e veprimtarive kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe të armëmbajtjes pa leje. 

Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kanabis (e ndarë në mbi 300 doza gati për shitje), 1 motomjet dhe 4 celularë.  

Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

2 prej tyre u kapën në flagrancë ndërkohë që qarkullonin me motomjet, për të shitur lëndë narkotike në qytetin e Shkodrës.

Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, specialistët për Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “Delivery”, si rezultat i të cilit u goditën një rast i shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë 2 shtetas të cilët po qarkullonin me motomjet, me qëllim shitjen e dozave të kanabisit.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 17-vjeçarit që drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit, shtetasit M. M., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. M., ku qëndronin dhe shtetasit P. M. (vëllai i tij) dhe Z. M. (xhaxhai i tyre), shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 280 doza, me qese farmaceutike, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 4 celularë. 

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve: 

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. M., 18 vjeç, Z. M., 36 vjeç dhe shtetasi i mitur 17 vjeç;   

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 20 vjeç.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos