Gjykata e Apelit i refuzoi të premten kërkesën për lirim nga paraburgimi 32-vjeçares, Julide Yazici, aktivistes nga Turqia, të arrestuar në fillim të gushtit në Rinas, për shkak të një urdhër-kërkimi nga drejtësia turke. Yazici kundërshtoi në Apel masën “arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Tiranës disa ditë më parë për qëllime ekstradimi.
Ajo pretendoi rrezikun e persekutimit në vendin e saj të origjinës për shkak të bindjeve të saj politike dhe qëndrimeve kundër presidentit turk Recep Tayyip Ergogan dhe pjesëmarrjes në protesta anti-qeveritare. Përmes avokatit, Artan Shllaku, 32-vjeçarja kërkoi zbutje të masës, me arsyetimin e mungesës së rrezikshmërisë shoqërore, apo të largimit.
Por, referuar faktit se e reja ka fituar statusin e azilantes në Francë, gjykata gjeti të drejtë pretendimin e prokurorisë së Yazici mund të largohej dhe kësisoj la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për arsye ekstradimi. Në Apel Prokuroria është shprehur se po pritet dokumentacioni përkatës nga autoritete, për vijimin e procedurës së ekstradimit.
Aktivistja turke me profesion mësuese, u arrestua më 5 gusht në pikëkalimin kufitar të Rinasit, ku mbërriti nga Franca.
Gjatë kontrollit policor u konstatua se e reja kërkohej nga Interpol Ankara, Turqi, pasi është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burg për “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje nga organizata terroriste”. (A2 Televizion)