Aleancë me Hungarinë, Serbia kërkon t’i kundërpërgjigjet paktit tripalësh

Nga Ideal Gola
25 Mars 2025, 20:29 | Kronikë

Mediat serbe, duke marr shkas nga një deklaratë e ministrit të Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, kanë filluar të raportojnë për një aleancë mes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë si kundërpërgjigje për bashkëpunimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Gjuriç deklaroi se janë për çdo iniciativë që forcon kapacitetet e Serbisë dhe shton sigurinë për të gjithë qytetarët e saj, duke përmendur Hungarinë si shembull i një vendi me të cilin në dekadën e fundit kanë raporte të shkëlqyera.

Në Prishtinë e shohin pak të mundshme që të krijohet një aleancë e tillë.

“Është minimale një gjë e tillë të ndodhë ka marrëdhënie bilaterale por nuk ka ndonjë marrëdhënie të intensitetit të tillë siç është marrëdhënia siç e ka krijuar Kroacia, Shqipëria dhe Kosova”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Hungaria, vend i NATO-s dhe Bashkimi Europian dhe që ka trupa të saj edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë, ka pasur qëndrime proruse viteve të fundit për shkak të kryeministrit Viktor Orban.

Ekspertët e sigurisë thonë se në fund të ditës Hungaria do të ndjek interesin e saj dhe nuk mund të merret e mirëqenë një bashkëpunim me Serbinë.

“Në qoftë se ne i referohemi edhe aspektit gjeografik, Sllovakia nuk ka të bëjë fare me Ballkanin Perëndimor më shumë me Europën juglindore, Hungaria sipas të gjitha gjasave do të mbajë në situatë të neutralizuar edhe në bazë të kërkesës që mund të vijë nga ana Beogradit zyrtar sepse tenton të ndjek linjën e saj të interesit që është Rumania, Bullgaria, dhe pjesë të tjera që janë në brezin kufitar me pjesën e Hungarisë”, tha Shala.

Serbia është zemëruar shumë me dakordimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë dhe së fundmi në vazhdimësi po përpiqet të dezinformojë në lidhje me këtë iniciativë. 

“Pikërisht humbja e baraspeshës deri më tani e cila ishte prezente në aspektin ushtarak ku Serbia ishte primare në veprimet e saj edhe në industrinë ushtarake, nga marrëveshja Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë do të minimizohet ndikimi i saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha eksperti.

Ky bashkëpunim trepalësh synon fuqizimin e industrisë ushtarake, modernizimin e kapaciteteve dhe përballjen me sfidat e sigurisë në Ballkan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos