Teksa qëndron në qelitë e burgut të Fierit prej shtatorit të vitit të shkuar, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka nisur një tjetër përballje gjyqësore. Së fundmi, ai i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të detyrojë Prokurorinë e Posaçme, SPAK, të hetojë kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", me pretendimin e shkeljes së ligjit dhe veprimeve fiktive në mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve relatorë, që shqyrtuan dy kërkesa të tij në Gjykatën e Lartë.
Bashkë me Sadushin, për të njëjtën vepër penale, ish-ligjvënësi kërkon hetim edhe për kancelaren e kësaj gjykatë, Anila Kulo, shkruan A2.
Ish-deputeti Salianji i kallëzoi dy zyrtarët e Gjykatës së Lartë në ditët e para të prillit. Dy ditë pas regjistrimit të kallëzimit në SPAK, prokurori i posaçëm Bledar Maksuti vendosi "mosfillim të procedimit penal”, me arsyetimin se faktet e pretenduara nga ish-deputeti nuk përbënin vepër penale, vendim që është kundërshtuar tashmë nga Salianji në Gjykatën e Posaçme.
Në kallëzim, ish-deputeti i dënuar me 1 vit burg për “kallëzim të rremë” në dosjen “Babalja” pretendonte se përmes veprimeve të tyre, kryetari Sadushi dhe kancelarja Kuli, i kanë cenuar të drejtën për një gjykim të drejtë dhe nga një gjyqtar i paanshëm e i pavarur.
Sipas tij, Gjykata e Lartë kishte ndryshuar brenda 48 orësh gjyqtaren Albana Boksi, të zgjedhur me short për shqyrtimin e rekursit të tij kundër vendimit të fajësisë, me gjyqtarin Sokol Binaj. Ndërsa në rastin e shqyrtimit të kërkesës së tij në Gjykatën e Lartë për pezullim të mbylljes në qeli, gjyqtari Binaj është caktuar pa short. Në ankimin ndaj vendimit të SPAK për mosfillim të hetimit, ish-deputeti pretendonte se prokurori i SPAK nuk kishte kuptuar drejt faktin penal të kallëzuar prej tij.
Dënimi me burg ndaj ish-deputetit Salianji, mori formë të prerë në 26 shtator të vitit të shkuar, ndërsa më 11 mars 2025 Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e bërë prej tij, duke lënë të pandryshuar dënimin. (A2 Televizion)