Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka zbardhur arsyetimin e vendimit, mes të cilit la në paraburgim për qëllime ekstradimi shtetasen turke Julide Yazici. 32-vjeçarja, e njohur për aktivizimin publik kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan, që prej disa vitesh kishte statusin e azilantes në Francë, u arrestua në Rinas më 5 gusht.
Ajo kërkohej nga drejtësia turke, ku ishte dënuar me 4 vjet e 2 muaj burg nga dy shkallë të gjyqësorit për "dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste" dhe "pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Në thelbin e arsyetimit të vendimit të Apelit ishte rreziku i largimit të 32-vjeçares, nëse lirohej nga paraburgimi.
Sipas Apelit, ekziston një rrezik real që e reja t’i shmanget ekstradimit. Referuar vendimit, Yazici rezulton të ketë pasur dijeni të plotë për procedimin penal ndaj saj në Turqi.
“Nëse gjatë fazës së hetimit apo gjykimit rreziku lidhet me shmangien nga hetimi ose gjykimi, në rastin konkret rreziku aktual lidhet me shmangien nga procedura e ekstradimit dhe nga dorëzimi tek autoritetet e shtetit kërkues për ekzekutimin e dënimit”, arsyetonte gjykata.
Apeli theksonte në vendim se masa “arrest në shtëpi” e kërkuar nga mbrojtja nuk ishte e përshtatshme dhe nuk garantonte mbikëqyrje efektive.
Në Apel 32-vjeçarja pretendoi se në rast ekstradimi drejt Turqisë do të përballej me persekutim, diskriminim dhe trajtim të padrejtë për shkak të bindjeve politike të saj dhe pjesëmarrjes në protesta anti-qeveritare dhe se nuk kishte pasur dijeni mbi vendimin e fajësisë të gjykatës turke.
(A2 Televizion)