Arbjan Mazniku dëshmon për dosjen 5D: Tushen dhe Qaton i kam pasur kolegë, nuk e dija që kishin interesa financiare

Nga Armand Bajrami
2 Tetor 2025, 09:43 | Kronikë

Arbjan Mazniku dëshmon për dosjen 5D: Tushen dhe Qaton i kam pasur

Ish-zv.kryetari i Bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku, po dëshmon në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve te dosjes “5D”.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Klodian Braho, Mazniku ka shpjeguar se në periudhën 2019-2022 ka qenë nënkryetar dhe gjatë kesaj kohë ka pasur edhe kompetencat e autoritetit nën kontraktor për procedurat e tenderimit.

“Detyrat e titullarit të autoritetit kontraktor, kam bërë verifimimin final të procedurës. Sipas ligjit, nuk merresha me lëndën e kërkesës, por vetëm verifikimin e hallkave të procesit. Raporti përmbledhës është raport i përbëre nga eksperte. Ne kalonim me dhjetëra procedura në ditë. Në të gjitha rastet kujdesesha që personat përgjegjës të fushës respektive, kishin firmosur dokumente dhe bërë detyrat dhe unë më pas vetëm e certifikoja si proces. Në thelb miratimi është certifikim i faktit që personat e fushave respektive, hallkat administrative, kanë bërë detyrat e tyre”, citohet të ketë thënë Mazniku, përcjell A2 CNN.

I pyetur nëse njeh Mariglen Tushen dhe Qaton, ai është përgjigjur: “Kam pasur marrëdhënie kolegësh me ta. Kam pasur kontakte telefonike me Redi Mollën. Ishim kolegë. Nuk kam pasur dijeni që Molla, Tushe, Qato të kenë pasur interesa financiare”.

Av i Redi Mollës: “Bashkia ka tenderuar disa procedura. Ka qëlluar ndonjëherë ndonjë punë e pambaruar, apo projekt i mbetur në mes?”.

Mazniku: “Kur ka qindra projekte, ka raste kur ndonjë projekt ngec. Ka pasur raste shpronësimesh, apo një kanalizim, apo një fije rryme që s'ishte në rivelimin paraprak. Këto shtynin afatet në kohë”.

Çfarë është dosja “5D”

Dosja “5D” është duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme pasi SPAK ka ngritur për dyshime korrupsioni, shpërdorimi detyre dhe pastrim parash lidhur me tenderë të favorizuar për kompaninë “5D Konstruksion” dhe subjekte të lidhura me të.

Të pandehur kryesorë në këtë dosje janë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-drejtues të institucioneve bashkiake, përfshi emra si Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha, si dhe biznesmenin Nestor Muhametllari, ndër të tjerë.

Prokuroria e Posaçme pretendon se funksionarët publikë kanë qenë pronarë “de facto” apo kanë vepruar në bashkëpunim me kompaninë “5D” për të manipuluar procedura prokurimi dhe përfitime në dëm të interesit publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos