Pesë ditë pasi u arrestua në flagrancë në rrugën “Sokratous” të Athinës, pasi në makinën, me të cilën udhëtonte me partneren, u gjet një armë zjarri pistolete TT dhe një sasi tritoli me dy ndezës, shqiptari Armiol Rrasa ka dalë para gjykatës helene.
I riu nga fshati Gradishtë i Divjakës, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penal ka thënë para trupi gjykues se armën dhe plumbat i kishte për mbrojtjen e tij për shkak të një historie të vjetër hakmarrjeje, raporton A2.
Gjithashtu ai ka pohuar se nuk e dinte që në makinë, e cila sipas avokatit të tij i përkiste një personi tjetër, kishte lëndë plasëse.
39-vjeçari ka thënë se mendonte që pakoja me eksploziv kishte fishekë, ndërsa partnerja e tij Daniela Luari, e cila deklaroi se nuk kishte dijeni as për armën e as për tritolin, dhe se i kishte parë ato vetëm kur i gjeti policia.
Pas dëshmisë, ajo u lirua me kusht që të paraqitej një herë në muaj në komisariat, ndërsa Rrasa u la në burg ndërkohë që hetimet do të vijojnë, shkruan A2.
Armiol Rrasa është person me precedentë penalë. Në Greqi, ai rezulton i dënuar me burg për trafik droge në vitin 2008 dhe është liruar në vitin 2015, përcjell A2.
Policia greke po vijon hetimet për veprimtarinë kriminale të çiftit shqiptar, ndërsa nuk dihet arsyeja e vërtetë e mbajtjes së armës dhe tritolit në makinë.
(A2 Televizion)