
Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë “arrest në burg” për Eduart Lamin. Masa ndaj tij është kërkuar vetëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe nga prokuroria nuk është përmendur ekzekutimi i Lulzim Vishës. I dyshuari Lami nuk ka dhënë asnjë deklarim në sallën e gjyqit.
Eduart Lami u arrestua pasi në banesën e tij u gjet një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë u gjetën edhe 4 gëzhoja arme.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim djalin e xhaxhait të Eduart Lamit, Ervis Lamin, person me rekorde kriminale, i njohur si bashkëpunëtor për arratisjen nga burgu i Drenovës i 7 të dënuarve, më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili.

Policia e Tiranës po i heton dy kushërinjtë edhe si autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha. Burime të sigurta nga grupi hetimor konfirmojnë për A2 CNN se mes viktimës dhe disa prej anëtarëve të familjes Lami ka pasur një sherr për pronat. Aktualisht, kjo është pista kryesore e hetimeve të policisë për zbardhjen e vrasjes. Ndërsa si pistë tjetër po hetohet një çështje hasmërie. Pasi në vitin 1997, vëllai i Lulzim Vishës vrau me armë një person, dënim të cilin e ka shlyer. (A2 Televizion)