Arrestimi i pronarit të hotelit në Borsh, policia: Babai i tij e dhunoi punonjësen, i biri e kanosi me pistoletë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 09:48 | Kronikë

Arrestimi i pronarit të hotelit në Borsh, policia: Babai i tij e

Policia ka zbuluar detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në një hotel në Himarë, ku pronari ka kërcënuar me armë zjarri dy punonjëse të tij.

Emanuel Shkëmbi sipas policisë u ka drejtuar armën një 21-vjeçareje, e cila punonte në hotel së bashku me nënën e saj, ndërsa më herët babai i tij e kishte dhunuar fizikisht të renë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi: E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”. Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë”, njofton policia.

Po ashtu nga policia është ndaluar edhe një shtetas tjetër, i cili fshehu armën në një valixhe pas konfliktit. Arma e përdorur nga Shkëmbi u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krehrin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar në njërën prej dhomave të hotelit.

“Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.; P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.”, sqaron më tej policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos