Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar pas operacionit të sotëm të SPAK dhe Policisë, ku u vunë në pranga dy punonjës të këtij institucioni dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë për korrupsion dhe shkelje të ligjit.
Përmes një reagimi, IMT e ka dënuar shkeljen e ligjit nga ana e punonjësve të sipërpërmendur, shkruan A2 CNN.
IMT thekson se raste të tilla janë individuale dhe të izoluara, si dhe nuk përfaqësojnë punën e institucionit në fjalë.
Reagimi i IMT-së:
Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku kater punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.
Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale dhe ndaj personave te perfshire jane ndërmerra të gjitha masat e nevojshme administrative duke i shkarkuar menjehere nga detyra.
Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e institucionit tonë. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, duke garantuar shërbim në funksion të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.
IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij. (A2 Televizion)