Shkodër, qeni i rrahur barbarisht gjendet i hedhur në qese plehrash bashkë me pulat e ngordhura

Nga Senad Nikshiqi
27 Gusht 2025, 13:40 | Kronikë

Shkodër, qeni i rrahur barbarisht gjendet i hedhur në qese plehrash

Një rast makabër dhune ndaj kafshëve ka tronditur qytetin e Shkodrës. Në lagjen Kiras, është gjetur një qen i masakruar, i futur brenda një qeseje plehrash bashkë me disa pula të ngordhura, raporton A2 CNN.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se kafsha kishte sulmuar pulat e pronarit, i cili në vend që të merrte masa të tjera, ka zgjedhur ta ndëshkojë në mënyrën më çnjerëzore, duke e rrahur deri në agoni dhe më pas duke e flakur në plehra.

Pamjet e ngjarjes janë tronditëse, duke treguar qartë dhunën barbare me të cilën është trajtuar qeni. Ai u gjet nga vullnetarë të organizatës “Animals Need Me” pranë kazanit të plehrave dhe u dërgua menjëherë në një klinikë veterinare.

Mjekët konfirmojnë se kafsha ka fraktura të shumta dhe ndodhet në gjendje kritike. Gjendja e tij është aq e rëndë sa vetëm një mrekulli mund t’ia shpëtojë jetën.

Ky rast ngre sërish alarmin për dhunën sistematike që po ushtrohet ndaj kafshëve në Shqipëri, ku shumë shpesh autorët mbeten të pandëshkuar. Ngjarja e Shkodrës është një thirrje e fortë për autoritetet që të hetojnë me urgjencë dhe të ndëshkojnë këtë akt të rëndë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.

Organizata “Animals Need Me” kërkon reagim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit dhe fton çdo person që ka informacion për autorin të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje makabre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos