
Ka marrë fund arratisja e Toma Taulant, 42-vjeçarit shqiptar të njohur si “magjistari i arratisjes nga burgu”. Ai është arrestuar nga Policia Kombëtare Spanjolle në Tarragona të Katalonjës, pas një operacioni të zhvilluar më 23 gusht.
Taulanti kërkohej nga drejtësia italiane për katër arratisje nga burgjet, tre në Itali dhe një në Belgjikë.
Arratisja e fundit dhe më spektakolarja ndodhi më 7 dhjetor 2025, nga burgu i sigurisë maksimale në Opera, pranë Milanos. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se preu hekurat e qelisë dhe u arratis duke përdorur çarçafë të lidhur.
Por kjo nuk ishte arratisja e tij e parë. Taulanti kishte arritur të largohej më herët edhe nga burgjet e Ternit dhe Parmës në Itali, si dhe nga një burg në Belgjikë. Në këtë të fundit, dyshohet se përdori një piramidë njerëzore për të kaluar murin rrethues.
Policia spanjolle e ka cilësuar historinë e tij si të pazakontë, duke deklaruar se “duket si diçka e nxjerrë nga një film, por ndonjëherë realiteti tejkalon trillimin”.
Forcat e rendit arritën ta gjurmonin 42-vjeçarin në një lagje të Tarragona-s, ku ai dyshohet se fshihej. Gjatë arrestimit, disa persona që dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të tij tentuan ta ndihmonin të largohej. Njëri prej tyre plagosi dy efektivë policie.
Në momentin e arrestimit, Taulanti kishte me vete dokumente identiteti të falsifikuara dhe dy kartëmonedha 500-euroshe, të dyshuara gjithashtu si të falsifikuara.
42-vjeçari po vuante një dënim që përfundonte në vitin 2048 për krime të rënda, përfshirë grabitje me dhunë, vjedhje dhe trafik droge. (A2 Televizion)