Në vendimin që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Gjykata e Posaçme e Apelit vëren se bashkëpunimi i tij me bashkëshorten dhe biznesmenin Elman Abule nuk ka qenë i thjeshtë.
Referuar hetimit të SPAK, edhe mbi veprimet e dyshuara si të kryera nga Ajola Xoxa dhe biznesmeni Abule, gjyqtari i posaçëm i Apelit, Engert Pëllumbi, vlerëson se bashkëpunimi i tyre ka tiparet e një grupi kriminal.
“Gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule, ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, i nominuar nga neni 28/4 i Kodit Penal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (tre persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllime përfitimi material (pastrimi i produkteve të veprës penale të korrupsionit), si edhe moskrijimit të grupit rastësisht, kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë…”
Por Apeli nënvizon se, në vlerësimin e llojit të masës së sigurisë për Veliajn, nuk e ka marrë në konsideratë këtë fakt, për shkak se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuar nga SPAK personave nën hetim, shkruan A2 CNN. Në të kundërt, arsyeton Apeli, do të cenohej parimi i mosrëndimit të pozitës së të pandehurit.
Referuar vendimit, përveç vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore, rrezikut të dëmtimit të provave dhe rrezikut të ikjes nga ana e Veliajt, për të përligjur izolimin e tij në qeli, Apeli ka sjellë në vëmendje raste të tjerë ish-zyrtarësh të lartë të arrestuar nga SPAK, disa për vepra më të lehta penale se ato për të cilat akuzohet Veliaj, për të cilët edhe Gjykata e Lartë ka miratuar masën e “arrestit në burg”.
Në këta emra listoheshin: ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj; ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Alfred Beleri; ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka; ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako; ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla; dhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. (A2 Televizion)