Këtë të enjte në orën 11:00, në GJKKO do të zhvillohej seanca paraprake në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe katër personave të tjerë që janë marrë të pandehur nga SPAK.
Kërkesa do të shqyrtohej nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila do të vendoste nëse dosja do të kalonte për gjykim ose jo, por seanca për dosjen “Meta” është shtyrë dhe shkak u bë mungesa e avokatit të ish-presidentit, Kujtim Cakrani.
Cakrani nuk është paraqitur në seancë dhe ka dorëzuar kërkesë për shtyrje për shkaqe shëndetësore. Seanca e radhës për këtë dosje do të zhvillohet më datë 9 tetor. Po në të njëjtën datë edhe Gjykata e Lartë shyqyrton në dhomë këshillimi rekursin e radhës të Metës për revokimin ose zbutjen e masës së sigurisë.
Në GJKKO u paraqit edhe e bashkëpandehura Monika Kryemadhi. SPAK sakaq ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.
Në lidhje me dosjen gjyqtarja Irena Gjoka më herët ka kërkuar edhe dorëheqjen, por kërkesa e saj u refuzua nga gjyqtari Erion Bani , njëherazi zv/kryetar i GJKKO. (A2 Televizion)