Ish-prokurori Eugen Beçi deklaroi se “teknika legjislative është tmerr”, duke theksuar se “ka fjali kilometrike dhe sintaksë të ngatërruar”.
“Teknika legjislative është tmerr. Në rast se do miratohet kjo, ta jap me garanci që shumica e avokatëve, prokurorëve dhe e gjyqtarëve nuk do kuptojnë se çfarë do lexojnë te disa nene aty. Është e tmerrshme. Ka fjali kilometrike dhe sintaksë të ngatërruar në mënyrë të tmerrshme, sepse në Shqipëri vazhdohen të ndryshohen nene, ligje, projektligje pa patur një redaktor letrar gjuhësor aty. Jo vetëm që janë të huaj, por nuk ka një redaktor aty”, u shpreh Beçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Ka dhe një problem shumë të rëndësishëm thelbësor. Normë ligjore që kthehet në manual didaktik, kthehet në komentar. Norma ligjore, sidomos proceduriale, duhet të jetë e saktë, shumë konçize, urdhëruese në vetvete, por nuk duhet të jetë manual të tregojë leksione apo teori juridike, të përdorë disa terma dhe fjalor moralizues. Në rast se ne këtë normë do e bëjmë lëmsh dhe do e paraqesim kështu siç është, të jesh i bindur që nuk e kupton njeri. Imagjino, arresti në burg është 25 rreshta”, shtoi ish-prokurori.
(A2 Televizion)