Pak ditë më parë një video qarkulloi në rrjetet sociale, ku drejtuesi i një automjeti tip ‘Range Rover’ kryente manovra të rrezikshme në breg të detit në plazhin e Velipojës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se pasi e identifikuan drejtuesin e mjetit, nga verifikimet rezultoi se ky shtetas qarkullonte me leje drejtimi të pezulluar.
Po ashtu në njoftim bëhet me dije se ndaj tij është vendosur gjobë prej 40 000 lekësh të rinj dhe heqja përfundimtare e lejes së drejtimit, shkruan A2 CNN.
Pra, 43-vjeçari, banues në Velipojë, ka detyrimin për ndjekjen e kursit për rimarrjen e lejes së drejtimit.
Njoftimi i Policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet duke lëvizur në bregdet, pranë pushuesve në Velipojë, ju informojmë se:
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, kanë identifikuar drejtuesin e mjetit. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas qarkullonte me leje drejtimi të pezulluar.
Ndaj tij u vendosur masa administrative prej 40 000 lekësh të rinj dhe heqja përfundimtare e lejes së drejtimit;
Drejtuesi i automjetit shtetasi B. M., 43 vjeç, banues në Velipojë, ka detyrimin për ndjekjen e kursit për rimarrjen e lejes së drejtimit.
Policia e Shkodrës fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital. Garantojmë se çdo rast do të trajtohet me reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin. (A2 Televizion)