Një parcelë gjigante me mbi 11 mijë bimë narkotike është zbuluar dhe asgjësuar në njësinë administrative Temal, në bashkinë Vau i Dejës, gjatë vijimit të operacionit policor “Koordinata”.
Bimët narkotike të llojit cannabis sativa janë zbuluar falë monitorimit të territorit nga ajri me dronë dhe kontrollit në terren nga patrullat këmbësore. Vetëm në Temal janë asgjësuar 11 748 bimë, një nga kapjet më të mëdha të këtij sezoni. Për këtë rast, tre persona janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre: kryeplaku i fshatit Kllogjen, Gj. G., dhe dy vrojtues të pyjeve, P. Sh. dhe F. G.
Një tjetër rast u evidentua në njësinë administrative Pult, ku u zbuluan dhe u asgjësuan 455 bimë kanabis. Në këtë zonë, policia procedoi penalisht në gjendje të lirë një inxhinier pyjesh, shtetasin A. M., për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
Sipas burimeve zyrtare, numri total i bimëve dhe fidanëve narkotikë të asgjësuar gjatë fazës më të fundit të operacionit “Koordinata” në qarkun Shkodër ka arritur në 12 203. Policia ka bërë të ditur se operacioni vijon me intensitet, ndërsa është ende në kërkim të personave të tjerë të përfshirë në kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. (A2 Televizion)