Berisha prapë në SPAK, zbardhet mesazhi për Dumanin dhe të paraburgosurit e “313”

Nga Armand Bajrami
21 Prill 2025, 15:01 | Kronikë

E hëna ishte një ditë pushimi për institucionet shtetërore, por pa efekt në vendimin gjyqësor që detyron Sali Berishën të paraqitet në SPAK, e po aq në fushatën e tij elektorale për 11 majin. Ish-kryeministri, i akuzuar për “korrupsion” në dosjen “Partizani”, u prit nga dhjetëra mbështetës në hyrje të SPAK, para të cilëve u shfaq me kapelën e fushatës.

Qëndrimi i tij në godinë zgjati më pak se 10 minuta, kohë gjatë së cilës, përveç firmosjes së paraqitjes, lideri i opozitës la me shkrim mesazhin e radhës për kreun e Strukturës së Posaçme: “Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. E garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk do të mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme”.

Më herët, Berisha shtroi disa pyetje, ku kërkonte llogari nga SPAK pse nuk arrestoheshin disa anëtarë të kabinetit qeveritar, që sipas tij, kishin grabitur 630 milionë euro nga buxheti i shtetit. Por teksa fliste para mbështetësve, brohoritjeve të tyre iu bashkuan edhe ato të disa të paraburgosurve të burgut 313, që ndodhet pak metra larg SPAK.

I pyetur nga A2 nëse shpreson edhe në votën e të paraburgosurve më 11 maj, Berisha u shpreh: “Se për kë do të votojnë, e dinë ata vetë. Ne nuk i ndërhyjmë kujt në votë, por ne themi që të votosh për xhelatin tënd, është problem”.

Prej gjashtë muajsh, dosja “Partizani” ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak. Seanca e radhës e procesit, ku do të vendoset nëse do të dërgohet apo jo në gjyq ish-kryeministri, do të mbahet më 23 prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos