Një këmbësor 70 vjeçar humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Hamallaj në Durrës, pasi u përplas nga një mjet që drejtohej nga 57 vjeçar. Humbja e jetës së këtij të moshuari është një ndër 116 të tjerë që kanë humbur jetën në aksidente rrugore në të gjithë vendin, gjatë 7 muajve të këtij viti.
Të dhënat zyrtare të Policisë Rrugore tregojnë se numri i aksidenteve është në ulje, por nga ana tjetër numri i viktimave është në rritje krahasuar me 2024.
Nga janari deri në korrik të 2025 kanë ndodhur 767 aksidente. 146 më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për pasojë 116 persona kanë ndërruar jetë, 32 më shumë sesa në 7 muajt e parë të vitit të kaluar.
Ndërsa numri i viktimave është më i lartë në 2025, shifrat tregojnë më pak të plagosur në aksidente këtë vit. Nga janari deri në korrik të 2025 janë lënduar 961 persona, 126 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë plagosur 1168 qytetarë. Gjatë dy muajve të verës, shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme të numrin të aksidenteve, kjo edhe për shkak të rritjes së turisteve, fluksit të lëvizjeve për shkak të pushimeve. Shpejtësia dhe përdorimi i celularit në timon janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve. Por në 33% të rasteve ka rezultuar se fajtorë janë edhe këmbësorët të cilët u presin rrugën drejtuesve të mjeteve, apo nuk kalojnë tek vizat e bardha.
Që prej muajit maj, Policia Rrugore nisi zbatimin e masave për parandalimin e aksidenteve, ku disa grupe pune janë në terren për ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të pabindur. Ndërsa monitorimi i akseve po kryhet përmes pajisjeve teknologjike si radarë apo dronë.
TABELA
JANAR-KORRIK 2025
767 aksidente rrugore
116 viktima
126 të plagosur rëndë
835 të plagosur lehtë
JANAR-KORRIK 2024
913 aksidente rrugore
84 viktima
122 të plagosur rëndë
1.046 të plagosur lehtë (A2 Televizion)