Gjyqtari ndërpret pushimet, kërkesa e Metës shqyrtohet më 13 gusht

Nga Xhensila Kodra
11 Gusht 2025, 13:54 | Kronikë

Gjykata e Posaçme caktoi të mërkurën, 13 gusht ora 10:00, ditën kur do të shqyrtohet kërkesa e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kërkon zëvendësimin e masës arrest në burg, me masë më të butë sigurie.

Seanca do të mbahet nga gjyqtari i çështjes Erjon Çela, i cili do të ndërpresë pushimet verore për të shqyrtuar kërkesën e Presidentit të Partisë së Lirisë.

Javën e kaluar, gjyqtari i gatshëm Erjon Bani shpalli moskompetencë, pasi edhe avokatët mbrojtës të Metës kërkuan që seanca të zhvillohej nga gjyqtari Çela dhe jo nga gjyqtari Bani.

Hetimet për ish-kryeministrin, ish-kreun e Kuvendit dhe ish-presidentin e Republikës përfunduan më 4 gusht. Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për dy dosje, ajo e lobimit të LSI në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA.

Më 6 gusht, Meta paraqiti kërkesën për ndryshim mase duke dhënë fjalën se nuk do të arratiset nëse lirohet nga qelia, pasi mund t’i bllokohet edhe pasaporta. Si argument Meta paraqiti po ashtu edhe faktin se tashmë me përfundimin e hetimeve, nuk mund të prishë provat.

Krahas tij, nën akuzë janë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatimja, si dhe dy bashkëpunëtorët Ema Çoku dhe Pirro Xhixho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos