Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 5 persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Rrogozhinë, mes tyre edhe kandidati për kryebashkiak i Partisë Demokratike në këtë qytet, Shkëlqim Hoxha.
Përveç tij, të akuzuar janë edhe Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjëll Cara. Shkëlqim Hoxha akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa katër personat e tjerë për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë. (A2 Televizion)